Pyetje : Kur më rastis të ha më shumë se duhet, çfarë më këshilloni?
Duhet që kjo t’ju ndodhë sa më rrallë. Kur të ndodhë, ju këshilloj “t’u hipni këmbëve” dhe të bëni një shëtitje me ecje të shpejtë ose ndonjë tjetër aktivitet fizik. Aktiviteti fizik ju ndihmon të ulni nivelin e sheqerit në gjak (glicemisë), tensionin e gjakut dhe kolesterolin. Aktiviteti fizik bën të mundur shpenzimin e sheqerit të tepërt dhe ndihmon insulinën e prodhuar nga organizmi të funksionojë më mirë.
Pyetje: Ka ushqime që mund t’i përdor pa kufizim, me shumicë?
Harrojeni të ngrënit pa kufi. Çelësi i jetës së shëndetshme, për gjithçka, është moderimi. Duhet të kini parasysh se edhe kokoshët që nuk kanë yndyrë, kanë kalori. Dhe kaloritë llogariten. Nëse jeni në gjendje të kontrolloni madhësinë e porcionit të ushqimit, mund të hani një larmi më të madhe, përfshi dhe ushqimet që ju preferoni, duke mbajtur gliceminë në nivelin e kërkuar.
Pyetje : Për arsye pune jam i detyruar të ha shpesh në restorant, nuk jam në gjendje të respektoj dietën, çfarë më këshilloni?
Mund të hash i qetë në restorant dhe vende të tjera jashtë shtëpisë, por më parë duhet të aftësoheni për të zgjedhur ushqimet e përshtatshme, si dhe të vlerësoni sasinë që duhet të konsumoni. Kështu do të dini çfarë të porositni dhe çfarë të evitoni si dhe sasinë e përshtatshme.
Pyetje: Mund t’i shtoj dozat e mjekimit kur prish dietën?
Disa e bëjnë këtë dhe kjo mund të funksionojë pjesërisht. Megjithatë, nuk është praktikë e këshillueshme, mbasi në çdo rast prishja e dietës keqëson cilësinë e mjekimit. Për më tepër, në varësi të medikamentit, rritja e dozës mund të jetë e rrezikshme dhe të shkaktojë efekte anësore.

Leave a comment